Rreth projektit
Energjitë e rinovueshme në Shqipëri
Shqipëria është një nga vendet më të mira të Ballkanit Perendimor për energjitë e rinovueshme. Me faktorët e lartë të rrezatimit, me burime ujore të mëdha dhe potencialet e erës dhe me rrjetin e dendur ndërlidhës me vendet fqinje, Shqipëria luan nje rol kyç në prodhimin e energjisë së pastër. Shumë shpejt Shqipëria mund të bëhet një eksportues neto i energjisë së rinovueshme.
Në 2017, për të inkurajuar prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme të ndryshme, Shqipëria miratoi një ligj të ri për të promovuar të gjitha energjitë e rinovueshme. Më tej, në 2018, Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin #179 “Plani Kombëtar i Veprimit për Energjinë e Rinovueshme” (PKVER) 2018-2020.
Që atëherë, qeveria ka ndërmarrë disa mekanizma për të tërhequr investitorët. Midis të tjerash mund të përmendim mbështetjen në pagesa për parqet e vogla fotovoltaike dhe të erës, si dhe tendera ndërkombetarë për energjinë e diellit dhe erës të sponsorizuara nga BERZH.
Deri më sot, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë (MIE) ka dhënë me sukses dy projekte në proçese të tilla tenderuese: Parku Fotovoltaik Karavasta dhe Parku Fotovoltaik Spitalla, të dyja të fituara nga Voltalia.
Në vazhdim të këtyre projekteve diellore, MIE me sponsorizimin e BERZH ka shpallur një tender për projektet eolike, i cili është akoma në proçes.
Sponsorë të tjerë janë gjithashtu duke investuar në projektet e energjisë së rinovueshme. Disa zhvillojnë projekte për nevoja vetjake diellore, ere dhe hidrike, të tjerë ofrojnë pajisje dhe shërbime per panele në çati.
Sektori pritet të rritet shpejt në vitet e ardhshme me projektet e reja që po ndërtohen dhe duke mundësuar elektricitet të lirë në Shqipëri.
Parku Fotovoltaik Karavasta
Parku Fotovoltaik Karavasta është një projekt Parku Fotovoltaik diellor i dhënë kompanisë Voltalia, në vijim të një proçesi tenderimi ndërkombëtar, organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë (MIE) dhe financuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Vendndodhja dhe madhësia e tokës, kapaciteti i instaluar, pika e lidhjes dhe termat dhe kushtet e Marrëveshjes për Blerjen e Energjisë janë përcaktuar dhe vendosur nga MIE.
Në maj 2020, Voltalia u njoftua si ofertues fitues me atë që doli të ishte çmimi i energjisë më i lirë në Ballkan prej 24.89 Euro/MWh gjatë 15 viteve.
Që atëherë, MIE i ka dhënë Voltalia-s të drejtën mbi tokën dhe ekipi i Voltalia-s ka negociuar dhe nënshkruar marrëveshjet kryesore. Marrëveshja e Zhvillimit të Projektit, Marrëveshja e Blerjes së Energjisë, Marrëveshja Përfundimtare, Marrëveshja e Lidhjes dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit u nënshkruan. Paralelisht, lejet kryesore janë dhënë ose miratuar: leja mjedisore, leja e ndërtimit për Parkun Fotovoltaik, leja arkeologjike etj. Në vazhdim, shumica e studimeve janë përfunduar ose janë afër përfundimit: Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor dhe Social dhe 5 studime të tjera për të verifikuar përshtatshmërinë e vendit të ndërtimit.
Kjo faqe siguron informacione shtesë në aspektet mjedisore dhe sociale të projektit, aspekte të cilat janë thelbësore për të garantuar zbatimin afatgjatë të impiantit.